I riu Rom i Ministrisë së Kulturës

Sead Kazanxhiu lindi më 14.07.1987, në fshatin Baltëz të Fierit. Ai rrjedh nga një familje modeste rome. Babai i tij Latif Kazanxhiu ishte mësuesi i parë i gjuhës rome në Shqipëri.
Seadi është një i ri i cili kulturën dhe arsimin e ka në gjak, jo vetëm për shkak se i ati është mësuesi i parë i gjuhës rome në vend, por edhe se ai vetë filloi të pikturojë në moshë të vogël. Megjithatë, askush nuk mendonte se një ditë Seadi do të behej një artist profesionist. Tek po vizatonte disa ngjarje nga Holokausti mësuesi i tij zbuloi talentin dhe i sugjeroi të vazhdonte Akademinë e Arteve.
Ai e ndoqi këtë këshillë dhe sot Seadi është i vetmi pjesëtar i komunitetit rom që është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Përveç pasionit për pikturën Seadi ka edhe një ndjenjë të madhe aktivizimi.
Ai është një aktivist për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom në Shqipëri. Gjatë periudhës së qëndrimit 8-mujor në Budapest (ku ka ndjekur një kurs anglishteje) ai ka lobuar fort për rëndësinë e përdorimin të termit “rom” dhe eliminimin e termave fyese si xhipsi, cigan, gabel, arixhinj etj. Gjithashtu Seadi është pjesë e Akademisë Politike Rome e mbështetur nga një sërë donatorësh, ku nëpërmjet kësaj akademie i është dhëne mundësia të realizohet ëndrra e tij, të punojë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Tek e pyesim për planet e tij, ai ka disa ide, të cilat kanë funksionuar në vende të tjera evropiane dhe do që t’i vejë në praktike. “Ëndrra ime është të bëhem Ministër Kulture” – rrëfen Seadi.
Kjo, sepse ai dëshiron të investojë shumë në kulturën dhe traditën rome, gjë që sipas tij nuk ka pasur vëmendjen e duhur. Seadi është pro integrimit të kulturës rome, dëshiron të bëjë ndërthurje mes kulturave të tjera, por pa e asimiluar atë. Me pak fjalë ai synon bashkëjetesën e një kulture multi-kulturore.
nga Brisilda Taço
Gazeta Shekulli 04/10/2012
Comments are currently closed.